Maqedonia e Veriut bie 12 vende në Indeksin e Transparency International

Maqedonia e Veriut nuk po shënon thjesht rënie në renditjet ndërkombëtare, por po konsolidon një realitet ku korrupsioni nuk paraqitet më si devijim institucional, por si model funksionimi i shtetit. Raportet e fundit të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare flasin për regres të thellë, mungesë progresi dhe impunitet të rrënjosur.

Sipas Transparency International, vendi e mbylli vitin 2024 me 40 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, duke rënë për 12 vende dhe duke u renditur i 88-ti nga 180 shtete. Ky vlerësim nuk reflekton vetëm perceptim negativ, por dështime reale në sundimin e ligjit dhe në ndëshkimin e korrupsionit në nivelet e larta.

Të dhënat e Barometrit të Korrupsionit 2025 e zbresin problemin nga statistika në përditshmëri: çdo i treti qytetar, ose një anëtar i afërt i familjes së tij, ka pasur kontakt me një zyrtar të korruptuar gjatë vitit të kaluar. Kur përvoja me korrupsionin bëhet masive, ai pushon së qeni përjashtim dhe shndërrohet në normë.

Edhe Komisioni Evropian është i qartë në konkluzionet e tij. Në Raportin e Progresit 2025 theksohet se “nuk ka progres” në fushën e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Vendi mbetet mes një niveli të caktuar dhe të moderuar të përgatitjes, pa asnjë përparim në parandalim dhe ndëshkim. Raporti evidenton gjithashtu dobësimin e pavarësisë dhe autonomisë financiare të gjyqësorit, si dhe krizën e besueshmërisë së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Tragjedia “Pulse” në Koçan nxori në pah dimensionin më të rrezikshëm të këtij sistemi: korrupsioni nuk është vetëm vjedhje e fondeve publike, por dështim i mbikëqyrjes institucionale që rrezikon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Paralelisht, shqetësime serioze janë ngritur edhe në sektorin e mjedisit. Gjatë vitit 2025 u raportua miratimi i Ligjit për Kontrollin e Emetimeve Industriale, i cili – sipas organizatës “Green Humane City” – u jep industrive mundësi të fshehin të dhëna mbi emetimet duke i shpallur ato “sekret tregtar”. Ky veprim konsiderohet precedent i rrezikshëm në një vend me ndotje të rëndë, pasi cenon transparencën dhe dobëson kontrollin publik.

Analistët vlerësojnë se kjo situatë përbën kapje të shtetit, ku institucionet nuk dështojnë rastësisht, por funksionojnë në mënyrë të tillë që dështimi të jetë në shërbim të interesave të caktuara politike dhe ekonomike.