Zyrtarë nga mbi 30 vende perëndimore do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Paris më 6 janar për të koordinuar mbështetjen për Kievin.
Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia pritet të shtyjnë përpara një propozim për një forcë paqeruajtëse, me mbështetje të mundshme logjistike dhe të inteligjencës nga SHBA-ja.
Bisedimet do të trajtojnë çështje të pazgjidhura si rregullat e angazhimit, garancitë e sigurisë nga SHBA-ja dhe mosmarrëveshjet territoriale, përfshirë rajonin e Donbasit dhe centralin bërthamor të Zaporizhias.
Zyrtarë nga më shumë se 30 vende perëndimore të të ashtuquajturit “Koalicioni i të Gatshmëve”, që mbështesin Kievin në luftën e tij me Rusinë, do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërsa vazhdojnë të përsosin një propozim paqeje që synon t’i japë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në takimin e 6 janarit do të ketë gjithashtu një prani amerikane, me kryenegociatorët e presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të pranishëm në kryeqytetin francez, megjithëse sekretari i Shtetit, Marco Rubio, nuk ka gjasa të vijë, pavarësisht shpresave në disa kryeqytete evropiane se ai do të merrte pjesë gjithashtu.
Zyrtarë evropianë i thanë Radios Evropa e Lirë se ka “një ndjenjë të ripërtërirë urgjence” pas një takimi gjatë fundjavës të këshilltarëve për sigurinë kombëtare dhe një mbledhjeje të planifikuesve ushtarakë më 5 janar.
Ata shpresojnë se takimi në Paris do të sigurojë që Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe vendet e tjera evropiane “të jenë në të njëjtën linjë”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se shpreson të paraqesë “angazhime konkrete” për sigurinë e Ukrainës pas bisedimeve. Ideja është që të ketë qartësi mbi përbërjen dhe dislokimin e një force paqeruajtëse në rast të një armëpushimi.
Disa zyrtarë thonë se shifra që qarkullon në disa kryeqytete evropiane është që forca të përbëhet nga 15.000 deri në 20.000 trupa, megjithëse disa shpresojnë që niveli të jetë më afër 30.000, duke vepruar nën moton “det, qiell dhe tokë të sigurta”.
Nuk janë zbuluar plane ushtarake, por pjesa më e madhe e trupave do të vinte nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilat do të udhëhiqnin komponentët tokësorë dhe ajrorë, ndërsa Turqia ka treguar se do të ishte përgjegjëse për sigurimin e korridoreve të transportit në Detin e Zi.
Megjithatë, ende nuk ka qartësi se sa afër vijës së kontaktit do të vendosej një forcë e mundshme e Koalicionit të të Gatshmëve. Shumica e zyrtarëve evropianë me të cilët ka qenë në kontakt REL-i besojnë se dislokimi i mundshëm do të bëhej në Ukrainën Perëndimore për të mbështetur dhe trajnuar trupat ukrainase.
