Ali Ahmeti nga Tirana: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të ecin krah për krah drejt Bashkimit Evropian

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë për pjesëmarrje në protestën gjithëkombëtare “Liria ka emër – Drejtësi për Çlirimtarët”, ka zhvilluar një takim vëllazëror me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi.

Në takim u diskutua për zhvillimet politike në rajon, proceset euroatlantike si dhe domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Ahmeti theksoi se Shqipëria tashmë ndodhet në një fazë të avancuar të negociatave me BE-në, ndërsa Maqedonia e Veriut duhet të ecë përkrah saj, duke ruajtur përkushtimin ndaj reformave dhe standardeve demokratike e evropiane.

“Rruga drejt Brukselit është rrugë e përbashkët, një projekt strategjik që bashkon të gjithë në rajon dhe që garanton paqen, zhvillimin dhe perspektivën tonë evropiane,” deklaroi Ali Ahmeti.