Von der Layen: Topi është në duart tuaja. Ndryshojeni kushtetutën dhe do të hapni bisedimet me BE-në

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimit të sotëm me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup, tha se vendi duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian (BE). Von der Leyen po viziton vendin në kuadër të turneut të saj ballkanik.

“E mbështesim plotësisht Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së. Mund të llogaritni tek ne. Hapi i ardhshëm dhe i vetëm para hapjes së negociatave është i qartë – duhet të bëni ndryshimin kushtetues të dakorduar. Topi është në fushën tuaj. BE-ja është e gatshme”, shkroi Von der Leyen në “X” pas takimit me Mickoskin në Qeveri, pas të cilit nuk pati konferencë për shtyp.

Nga Qeveria, pas takimit, njoftuan se është biseduar për perspektivën evropiane, progresin e proceseve reformuese, bashkëpunimin ekonomik, sigurinë energjetike dhe transformimin digjital.

“Kryeministri Mickoski theksoi vendosmërinë e Qeverisë për të përshpejtuar integrimin evropian të shtetit përmes rezultateve konkrete dhe përmbushjes së standardeve evropiane. Ai theksoi se shteti pret nga Bashkimi Evropian përkushtim të qartë dhe konkret si dëshmi e perspektivës evropiane dhe mbështetje për qytetarët që për dekada mbeten të përkushtuar ndaj vlerave evropiane”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Von der Leyen sot pati takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, pas të cilit shkroi në “X” se vendi ka marrë 16 milionë euro nga BE-ja për reformat e kryera.

“Ndërkohë, po e afrojmë vendin tuaj me ne. Kjo është ajo për të cilën shërben Plani i Rritjes! Po hapim një fabrikë për inteligjencë artificiale në Shkup. Po ju përfshijmë në Zonën e Vetme të Pagesave të Evropës. Dhe po paguajmë 16 milionë euro falë reformave që i keni realizuar”, shkroi Von der Leyen në “X”.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, dje prezantoi zyrtarisht projektin “Vezilka” – Qendra Kombëtare për Inteligjencë Artificiale (IA), një projekt kapital për transformimin digjital të vendit, me vlerë totale rreth 6 milionë euro, që po realizohet me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian përmes programit “Horizon Europe” dhe iniciativës “EuroHPC”, ndërsa bashkëfinancohet nga Ministria e Transformimit Digjital dhe Fakulteti i Informatikës dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI), i cili është bartës i projektit.

Qendra do të jetë njësi shoqëruese e “Pharos” – fabrikës evropiane me seli në Greqi, e cila do t’u mundësojë institucioneve, studiuesve, kompanive dhe start-up-eve maqedonase qasje në superkompjuterët dhe hapësirat e avancuara të të dhënave evropiane.

“Ky është një projekt kapital me rëndësi historike dhe kombëtare – një faqe e re në zhvillimin digjital të Maqedonisë, ku Qeveria, universitetet dhe industria ndërtojnë së bashku një sistem kombëtar për inteligjencë artificiale. Me ‘Vezilka’, shteti ynë bëhet pjesë aktive e rrjetit evropian të qendrave për inteligjencë artificiale. Ky është një hap thelbësor për komunitetin tonë shkencor, teknologjik dhe inovativ”, tha dje ministri Andonovski dhe bëri thirrje publike për të gjitha institucionet akademike dhe shkencore, si dhe sektorin privat, që të përfshihen në këtë projekt kombëtar me dimension evropian.

“Vezilka” do të funksionojë edhe si qendër trajnimi dhe zhvillimi të kapitalit njerëzor, ku do të organizohen trajnime, projekte praktike dhe programe edukative në fushën e inteligjencës artificiale.