Trump i kërkon Izraelit t’i ndalë bombardimet në Gazë, pasi Hamasi pajtohet t’i lirojë pengjet

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka mirëpritur përgjigjen e Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – ndaj Planit të tij të Paqes në Lindje të Mesme, dhe i ka bërë thirrje Izraelit që “menjëherë t’i ndalë bombardimet në Gazë”.

Bazuar në deklaratën e lëshuar nga Hamasi, besoj se ata janë të gatshëm për PAQE të qëndrueshme”, ka thënë Trump në rrjetin e tij social Truth Social.

Presidenti ka deklaruar se Izraeli duhet t’i ndalë menjëherë bombardimet në Gazë, për të mundësuar lirimin e pengjeve.

Hamasi ka thënë përmes një deklarate se është pajtuar me pjesën më të madhe të planit të Trumpit për t’i dhënë fund luftës, përfshirë lirimin e të gjitha pengjeve, por që disa pika duhet negociuar në të ardhmen.

Grupi ka thënë se është i gatshëm të përfshihet menjëherë në negociata, përmes ndërmjetësuesve, për t’i diskutuar hollësitë.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli është gati për të zbatuar “fazën e parë” të planit të Trumpit, si referencë për lirimin e pengjeve.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë në bashkëpunim të plotë me presidentin dhe ekipin e tij për t’i dhënë fund luftës, në përputhje me parimet e Izraelit, të cilat korrespodojnë me vizionin e Trumpit për përfundim të luftës”, është thënë në deklaratë.

Megjithatë, aty nuk është përmendur kërkesa e Trumpit që Izraeli t’i ndalë sulmet në Rripin e Gazës.

Autoritetet palestineze kanë thënë të shtunën se Izraeli i ka vazhduar sulmet, pavarësisht thirrjes së Trumpit.