Mickovski në mes të fushatës pret në takim kryeministrin serb Macut

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot në Qeveri realizoi takim me kryeministrin e Republikës së Serbisë, Gjuro Macut, i cili qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.

Dy kryeministrat biseduan për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimin ekonomik dhe lidhjen infrastrukturore. U vu theks edhe te shkëmbimi tregtar, projektet e përbashkëta energjetike dhe lehtësimi i lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

Kryeministri Mickoski theksoi se Serbia është partner dhe mik i sinqertë, me të cilin ndajmë vizionin për një Ballkan të qëndrueshëm, të sigurt dhe prosperues. Kryeministri Macut shprehu mbështetje për proceset reformuese në shtet dhe nënvizoi se Beogradi dhe Shkupi do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në projekte të përbashkëta që janë në interes të qytetarëve të të dy vendeve. Të dy palët u pajtuan se thellimi i lidhjeve miqësore mes dy shteteve paraqet një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.